MASHT

MINISTRJA NAGAVCI KA QËNDRUAR PËR VIZITË ZYRTARE NË GJERMANI

27 Nëntor, 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka qëndruar për vizitë zyrtare në Mynih të Gjermanisë, ku ka takuar përfaqësues të Diasporës shkencore, në kuadër të Simpoziumin “Ndërtimi i një platforme për përkrahjen e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të Diasporës shkencore shqiptare”.

Me këtë rast, ministrja Arbërie Nagavci ka bashkëbiseduar për përvojat dhe praktikat e suksesshme, potencialin e jashtëzakonshëm dhe mundësitë e shumta për bashkëpunim në arsim dhe shkencë.

Ministrja Nagavci ka prezantuar politikat arsimore për zhvillimin e vendit, ndër të cilat ka përmendur hapjen e mundësive për angazhimin e Diasporës shkencore në institucionet tona,

rritjen e buxhetit në arsim, miratimin e Planit Kombëtar të Shkencës, krijimin e fondit për shkencë në kornizën afatmesme, lansimi i platformave KRIS dhe KREM dhe antarësimin e Kosovës me të drejta të plota në Horizon.

Gjatë qëndrimit dyditor në Gjermani, ministrja Nagavci ka takuar edhe përfaqësuesit e Shoqatës “Fondacioni Besa” të cilët janë duke mbështetur Ministrinë në zbatimin e mësimit dual.

Kryetari i Fondacionit, Ilir Seferi edhe njëherë ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për vendin tonë.

Në vazhdën e takimeve zyrtare, ministrja Nagavci është takuar edhe me përfaqësues të LAPSHI-t, prindër e mësimdhënës, me të cilët ka bashkëbiseduar për punën e tyre, sfidat me të cilat ballafaqohen dhe rëndësinë e integrimit të fëmijëve në mësimin shqip.

Last modified: 27 Nëntor, 2023