Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Takimin Ministror të Platformës së Lidershipit të Ballkanit Perëndimor, në Shkup, pjesë e të cilit ishin ministra nga vende të ndryshme të rajonit. Në këtë takim u diskutua për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, me fokus në disa fusha kyçe si inovacioni, kërkimi shkencor, arsimi, kultura, rinia dhe sporti.
Gjatë diskutimeve, ministrja Nagavci ka theksuar se, Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet të lartë arsimit dhe ka ndarë fonde të konsiderueshme për përmirësimin e tij, me synimin që të avancohet cilësia në sistemin arsimor dhe të krijohen mundësi të reja për të rinjtë tanë.
Nagavci ka folur për nismat të cilat janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë, përfshirë fillimin e arsimit dual, një model që lidh teorinë me praktikën, duke përgatitur studentët për tregun e punës, konsolidimin e qendrave të karrierës nëpër shkolla dhe universitete, duke siguruar udhëzime të përshtatshme për orientimin profesional të të rinjve dhe ndarjen e mbi 10 milionë euro në formë bursash, për të mbështetur studentët tanë në ndjekjen e studimeve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ndër të tjera, ministrja po ashtu ka thënë se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e start-upeve dhe projekteve inovative, duke shtuar se, krijimi i politikave për pavarësimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës i kanë paraprirë rikthimit të saj si anëtare e asociuar në ENQA, duke përmirësuar standardet e cilësisë në arsimin e lartë.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin Ministror të Platformave Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Kërkim dhe Kulturë, ministrja Nagavci ka zhvilluar takime bilaterale me disa nga liderët më të rëndësishëm në këto fusha.
Me Iliana Ivanova, Komisionere Evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim dhe Rini, me Signe Ratso, zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme për hulumtime dhe inovacion në Komisionin Evropian, Pilvi Torsti, drejtoreshë e Fondacionit Evropian të Trajnimeve dhe kolegë nga rajoni, përveç tjerash diskutimi është përqendruar në thellimin e bashkëpunimit për të avancuar arsimin, kërkimin shkencor dhe inovacionin në vendet tona.
Last modified: 3 Tetor, 2024