MASHT

Ministrja Nagavci ka inauguruar çerdhen e re në Prizren dhe objektin e ri të shkollës “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës

24 Dhjetor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arbër Rexha kanë bërë inaugurimin e çerdhes së re në Lagjen Ortakoll të Prizrenit.

Ministrja Nagavci, pasi ka uruar fëmijët, edukatorët dhe prindërit për çerdhen e re, ka rikujtuar se, më 1 qershor 2021, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, bashkë me Kryeministrin Kurti kishin inauguruar çerdhen e parë publike në qytetin e Prizrenit, duke ofruar mundësinë që 240 fëmijë të vijonin edukimin e hershëm në 12 paralele, prej të cilave 10 në gjuhën shqipe, 1 në gjuhën boshnjake, dhe 1 në gjuhën turke.

Ministrja theksoi se, krijimi i kushteve të përshtatshme dhe të sigurta për më të vegjlit tanë është prioritet për të gjithë ne, si prindër, si shoqëri dhe si institucione, andaj edhe gjatë mandatit të saj si Ministre, është vënë në fokus të veçantë edukimi në fëmijërinë e hershme.

Ministrja Nagavci po ashtu ka bërë të ditur se, çerdhja në Prizren ka kushtuar 563,758.40 euro dhe ka sipërfaqe 1.630 metra katrorë, ndërsa në total gjatë krejt mandatit (2021-2024) janë investuar 37.116.155 euro për 65 çerdhe, ose 96% e totalit të investimeve.

Më pas, ministrja Arbërie Nagavci, zëvendësministri, Arsim Ademi, drejtoresha e Arsimit në komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi dhe drejtori i shkollës, Arianit Paçarizi, kanë përuruar objektin e ri të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Emin Duraku”, në Dragobil të Malishevës, një tjetër investim infrastrukturor i Ministrisë së Arsimit, në vlerë 1.176.392.76 euro, me sipërfaqe prej 3.134 metra katrorë.

Ministrja Nagavci me këtë rast është shprehur se, kjo shkollë do të jetë shtëpia e dytë për fëmijët e këtij fshati, të cilët do të mësojnë në ambiente të reja e të shëndetshme, jetësim i vizionit tonë afatgjatë për një Kosovë dhe një shoqëri të fortë e të zhvilluar, një shoqëri që ushqehet dhe rritet me dituri dhe punë, ku mbështetja institucionale nga Qeveria është gjithnjë e plotë dhe e merituar.

Ministrja Nagavci po ashtu ka bërë të ditur se, përveç investimit në ndërtimin e objektit shkollor, Ministria e Arsimit gjithashtu ka investuar në pajisje laboratorike në vlerë 40.976.38 euro, të cilat pajisje do të krijojnë kushte të përshtatshme për arsimim cilësor e produktiv.

Ndër të tjera, Ministrja theksoi se, si rezultat i veprimeve të cilat janë ndërmarrë dhe kujdesit që i është kushtuar investimeve insfrastrukturore, është arritur që brenda mandatit, të ndërtohen 20 shkolla të reja dhe të rinovohen 10 të tjera, ndërkohë që 17 shkolla janë në proces të ndërtimit nga MAShTI dhe 4 shkolla në proces të tenderimit.

Ndërsa, Drejtoresha Komunale e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi u shpreh se kjo është një nga momentet e gëzimit për komunën e Malishevës dhe fshatin Dragobil e sidomos për fëmijët e kësaj pjese.

Last modified: 24 Dhjetor, 2024