Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ia ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës në takimin e mbajtur sot. Aty të pranishëm ishin edhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrtarë të MAShTI-it dhe anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPShT.
Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se, tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës.
Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen, veçoi ai.
Në lidhje me raportin e përgatitur, kryeministri tha se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.
“Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, tha kryeministri.
Ndërsa, ministrja Nagavci tha se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës.
Ajo bëri të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA duke i ditur rezultatet e nxënësve në këto lëndë.
Ministrja shtoi se përveçse do të vazhdojmë me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikojmë që të gjitha këto raporte t’i ndajmë më shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.
Mihaela Singer nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore. Singer ka folur për fazën e parë të procesit të rishikimit të teksteve shkollore dhe gjetjet të cilat janë përfshirë në Raport.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë”, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar kanë filluar procesin e rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm (klasat 1-9), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit parasuniversitar.
Procesi i rishikimit të teksteve shkollore udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë.
Last modified: 22 Mars, 2024