Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi kanë pritur në takim përfaqësuesit e Kosovës në Garën e Kodimit në nivel botëror, nxënësit nga ShFMU “28 Nëntori” në Doberdelan dhe ShFMU “Ismet Jashari-Kumanova” në Javor të Suharekës.
Rezultati i nxënësve të talentuar ka arritur që Kosovën ta rendisë në vendin e 9 në botë, nga 146 shtete pjesëmarrëse në garë, ku janë përfshirë 3912 shkolla, 8946 klasë dhe 115 286 nxënës.
Ministrja Nagavci me këtë rast bashkëbisedoi me nxënësit për mënyrën se si janë zhvilluar garat dhe i falënderoi ata për rezultatin që kanë shënuar në këtë sfidë me bashkëmoshatarët e tyre.
Ministrja përgëzoi nxënësit pjesëmarrës për performancën e tyre në garë dhe i inkurajoi ata që të angazhohen edhe më tutje, në mënyrë që të shfaqin talentin e tyre në fushën e kodimit.
Ndërsa, zv/ministri Kelmendi tha se është arritje e madhe për Kosovën që të renditet në vendin e 9-të në nivel botëror në këtë garë, ndërsa foli edhe për Kodimin si lëndë e re mësimore nga klasa 1 deri në klasën 12.
Përfaqësuesit e ekipit të nxënësve pjesëmarrës falënderuan ministren për pritjen dhe kërkuan që të kenë mbështetjen e Ministrisë në gara të tilla. Ata kërkuan nga MAShTI që ti mbështesë në furnizim me pajisje teknologjike dhe aparaturë të nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Në ekipin i cili ka përfaqësuar Kosovën në Garën e Kodimit kanë qenë të përfshirë 14 nxënës.
Last modified: 29 Shkurt, 2024