MASHT

MINISTRJA NAGAVCI DHE ZËVËNDËSMINISTRI PUPOVCI TAKUAN DREJTORËT KOMUNAL TË ARSIMIT

31 Gusht, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me zëvendësministrin, Dukagjin Pupovci dhe përfaqësues tjerë në MASHTI kanë takuar drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit me të cilët kanë diskutuar rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në fillim të këtij takimi, ministrja Nagavci ka ngritur çështjen e sigurisë në shkolla, ndërsa ka përmendur edhe rastin e dhunimit të 11 vjeçares si rast që ka tronditur të gjithë.

Ajo theksoi se si Ministre e Arsimit do të ketë zero tolerancë ndaj këtyre rasteve derisa theksoi rëndësinë e themelimit të Forumit nacional për siguri në shkolla.

Ministrja Nagavci kërkoi nga drejtorët e DKA-ve vëmendje të veçantë për të parandaluar çdo lloj forme të dhunës në shkolla.

Drejtorët e DKA-ve u deklaruan se janë bërë përgatitjet e duhura për vitin e ri shkollor dhe u pajtuan që 1 shtatori duhet të jetë dita e fillimit të vitit shkollor.

Në këtë takim u diskutua edhe në lidhje me kërcënimin e SBASHK-ut për çështjen e grevës. Ministrja i njoftoi se nga ana e MAShTI të gjithë punëtorët e arsimit janë trajtuar në mënyrë të drejtë në Projektligjin për paga.

Ministria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor, është bërë shpërndarja e teksteve dhe është duke u realizuar edhe shpërndarja e Abetares së përbashkët me Shqipërinë.

Gjatë ditës ministrja Nagavci ka takuar edhe Këshillin e Prindërve të Kosovës dhe Këshillin e Nxënësve të cilët po ashtu u shprehën se mësimi duhet të nis më kohë dhe nuk ka asnjë arsye që të pësojnë nxënësit.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.