MASHT

MINISTRJA NAGAVCI DHE ZËVENDËSMINISTRI PUPOVCI PREMTOJNË MBËSHTETJE PËR NXËNËSIT E LUGINËS

26 Prill, 2021

Sfidat e shqiptarëve të Luginës në arsim kanë qenë temë kryesore e diskutimit në një takim që ka mbajtur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri, Dukagjin Pupovci me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa dhe shefin e kabinetit të tij, Alban Alili.

Kryetari Mustafa fillimisht i uroi ministren Nagavci dhe zëvendësministrin Pupovci për detyrën e re derisa kërkoi mbështetjen MASHTI në disa procese. Ai përmendi disa nga sfidat me të cilat po ballafaqohen si furnizimi me tekste shkollore për nxënësit e Luginës si dhe modernizimi i shkollave atje.

Kryetari Mustafa shprehu brengën se shqiptarët e Luginës studiojnë kryesisht në Kosovë por që diplomat e tyre nuk u njihen në vendlindje.

Ministrja dhe zëvendësministri u zotuan se ekziston vullnet për të ofruar mbështetje rreth kërkesave të tyre.

Sa i përket teksteve shkollore për Luginën por edhe për mërgatën, ministrja tha se është mirë që të kemi bashkëpunim me Shqipërinë. Rreth çështjes së diplomave ajo theksoi se është çështje politike por që shpresojnë që të zgjidhet sa më shpejt.

Ministrja Nagavci u shpreh se çështjet ku mund të ofrohet mbështetje më e shpejtë janë aktivitetet e përbashkëta kulturore, sportive, garat e ndryshme si dhe përkrahja për bibliotekat shkollore.

Në fund, i njoftoi se shumë shpejtë do të realizojnë një vizitë në Luginë për të parë nga afër problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen. 

Last modified: 8 Qershor, 2022

Comments are closed.