Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, kanë vizituar nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”. Këtë vit motoja e fushatës vetëdijësuese ishte: “Përmes arsimimit cilësor për familje të shëndoshë e pa dhunë”.
Ministrja Nagavci theksoi se nga ana e MAShTI i është kushtuar kujdes i veçantë përfshirjes së temave që trajtojnë dhunën me baza gjinore, duke përfshirë këto tema në kurrikula të arsimit parauniversitar, po ashtu edhe me aktivitete të shumta jashtë kurrikulare dhe materiale të tjera promovuese me të cilat shërbehen nxënësit mësimdhënësit dhe prindërit.
Ministrja po ashtu inkurajoi nxënësit të informohen nga burime të sigurta dhe të kenë kujdes me përdorimin dhe shpërndarjen e materialeve në formën online, sepse mund të shërbejnë si mundësi për rrezikimin e vajzave dhe grave për shkak të abuzimit me informatat që mund të ndahen në internet nga ana e tyre, apo pa vullnetin e tyre.
Ndërsa, Ministrja Haxhiu foli për rëndësinë e fushatave vetëdijësuese në parandalimin e dukurive të tilla nga dhuna digjitale, përmes kujdesit të shtuar të prindërve dhe mësimdhënësve në përdorimin e mirë dhe të drejtë të rrjeteve sociale.
Kurse, drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjeksisë “Elena Gjika”, Bahrije Hoxha, ka falënderuar Ministren Nagavci për angazhimin në parandalimin e dhunës digjitale dhe asaj me baza gjinore, si çështje të rëndësishme për krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë.
Këtë vit, ministrja Nagavci ka marrë vendim që në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, ora e parë e mësimit t’i kushtohet parandalimit të dhunës me baza gjinore. Po ashtu, gjatë ditës së premte, Ministria ka organizuar sesione informuese në gjashtë regjione të Kosovë, dhe dy puntori për parandalimin e dhunës digjitale, në të cilat është prezantuar pakoja e Moduleve për Mbrojtje të Fëmijës, dhe dokumente të tjera të rëndësishme të cilat ndërlidhen me parandalimin e kësaj dukurie.
Last modified: 4 Dhjetor, 2024