Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ambasadori i Zvicres në Kosovë, Jürg Sprecher nënshkruan sot marrëveshje për zbatimin e projektit Matching Skills to Jobs (Përputhja e Aftësive me Vendet e Punës), e cila synon që të rinjtë dhe të punësuarit e tjerë të kenë aftësitë e duhura për tregun e punës.
Qëllimi i projektit “Matching Skills to Jobs” i mbështetur nga Swiss Agency for Development and Coorporation SDC, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, është të adresojë përshtatjen e aftësive me kërkesat e tregut të punës, përkatësisht të përmirësojë përshtatjen e aftësive me vende të punës, duke ofruar trajnime praktike dhe të përshtatshme
Ministrja Nagavci dhe udhëheqësi i Programit për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim në Ambasadën e Zvicres, Jean Christoph Favre, diskutuan për gjendjen në arsim në përgjithësi, me theks të veçantë arsimin dhe aftësimin profesional dhe rëndësinë e ndërlidhjes së tij me tregun e punës.
Ministrja Nagavci falënderoi Qeverinë Zvicerane për mbështetjen që i ka ofruar në vazhdimësi Ministrisë së Arsimit, përmes projekteve të ndryshme dhe si partner strategjik i saj.
Udhëheqësi i Programit për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim në Ambasadën e Zvicres, Jean Christoph Favre, e falënderoi Ministren për takimin dhe përkushtimin e saj në realizimin e këtij projekti.
Marrëveshja “Matching Skills to Jobs” (Përputhja e Aftësive me Vendet e Punës) fillon me një fazë fillestare nëntë mujore, që mbulon periudhën 01.03.2024 – 30.11.2024. SDC-ja synon të vazhdojë me fazën kryesore të programit pesëvjeçar nga 01.12.2024 – 30.11.2029.
Last modified: 8 Maj, 2024