MASHT

MINISTRJA NAGAVCI BASHKËBISEDOI ME MËSIMDHËNËSIT E KOMUNËS SË MITROVICËS

25 Gusht, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka takuar mësimdhënësit e Komunës së Mitrovicës, me ç’rast ka diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ministrja Nagavci rikujtoi se, për herë të parë është ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore në vlerë rreth 1.7 milionë euro, ku do të përfitojnë rreth 300 mësimdhënës me probleme të tilla, ndërsa shtoi se është siguruar buxheti edhe për zgjidhjen e problemit të mësimdhënësve pa normë të plotë.
Në lidhje më këtë, Nagavci theksoi se, jemi kujdesur që t’i ruajmë normat e më shumë se 1600 mësimdhënësve dhe jemi duke punuar që mësimdhënësit të mos rrezikojnë vendet e punës, por edhe që buxheti të mos dëmtohet.
Ndër të tjera, Ministrja tha se këtë vit është ndarë buxheti për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, kurse për vitin e ardhshëm është planifikuar buxhet edhe për 300 asistentë tjerë.
Sa i përket projektligjit për paga, Nagavci bëri të ditur se, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë dhe krahasuar me ligjin e kaluar, ka ngritje të koeficientëve në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu e njoftuan ministren Nagavci për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se, tekstet shkollore tashmë kanë arritur në komunë dhe po shpërndahen në shkolla.

Last modified: 25 Gusht, 2022