MASHT

MINISTRJA HYKMETE BAJRAMI PRITI KRYETAREN E KUVENDIT TË KOSOVËS, VJOSA OSMANI

13 Maj, 2020

13 Maj 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot në takim kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka biseduar rreth mbarëvajtjes së mësimit në distancë.

Ministrja Bajrami e informoi kryetaren Osmani për punën e bërë për organizimin e mësimit në distancë për nxënësit e Republikës së Kosovës. Ajo foli për ecurinë e këtij procesi, ku tashmë kanë çasje mbi 90 përqind e nxënësve të Kosovës.

Ministrja foli po ashtu rreth organizimit të Testit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë dhe theksoi se këto teste do të mbahen sipas rekomandimeve të IKSHP-së, por që do të ketë lehtësime për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia. Ajo nënvizoi se nga 200 pyetje që kanë qenë vitin e kaluar për testin e maturës, sivjet do të jenë 100 dhe se testi do të mbahet vetëm në një ditë.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se ministrja Bajrami e ka përkrahjen e saj të plotë dhe vlerësimin maksimal për punën e madhe që është bërë në rrethana të jashtëzakonshme, në mënyrë që edhe në këto rrethana nxënësit tanë të realizojnë të drejtën themelore për çasje në arsim.

Kryetarja Osmani dhe ministrja Bajrami falënderuan të gjithë akterët e përfshirë në procesin e mësimit në distancë, punë e cila është bërë në baza vullnetare, donatorët, si dhe mësimdhënësit dhe prindërit për kujdesin që po tregojnë, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë kjo situatë.

Last modified: 8 Qershor, 2022