MASHT

MINISTRJA BAJRAMI VIZITOI KAMENICËN KU U INFORMUA ME GJENDJEN PAS REFORMAVE TË FILLUARA NË ARSIM NGA KJO KOMUNË

13 Shkurt, 2020

13 Shkurt 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka vizituar sot qytetin e Kamenicës, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Qëndron Kastrati, shefat e grupeve parlamentare në Asamblenë Komunale dhe këshillat e prindërve të shkollave që janë prekur nga reforma e filluar në arsim nga ana e Komunës së Kamenicës.

Pas takimit me kryetarin Kastrati, ministrja Bajrami theksoi se zvogëlimi i numrit të nxënësve në klasa dhe në shkolla në përgjithësi është një fenomen që e ka prekur tërë Kosovën, e veçanërisht komunën e Kamenicës, për shkak të shpërnguljes së banorëve.Megjithatë, Ministrja theksoi se një prej kompetencave të Ministrisë është respektimi i kalendarit të vitit shkollor, të cilën gjë e ka kërkuar nga kryetari Kastrati.Ministrja Bajrami theksoi se MAShTI është duke bërë një analizë të përgjithshme rreth gjendjes së numrit të nxënësve në shkolla në të gjitha komunat e Kosovës dhe theksoi se Ministria dhe komunat duhet të veprojnë konform ligjeve në fuqi dhe kompetencave që dalin nga këto ligje.

Më pas, ministrja Bajrami ka pasur një takim edhe me shefat e grupeve parlamentare në Asamblenë Komunale, e po ashtu, edhe me këshillat e prindërve të disa shkollave, të cilat janë prekur nga reforma e filluar në Kamenicë, e që si rezultat prindërit kanë refuzuar t’i dërgojnë fëmijët në shkollat tjera, pra nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor.Ministrja i dëgjoi shqetësimet dhe pakënaqësitë e prindërve, ndërsa kërkoi nga të gjitha palët bashkëpunim dhe gjetjen e një zgjidhje, në mënyrë që fëmijët të mos dëmtohen nga kjo situatë e krijuar dhe të kthehen sa më parë në procesin mësimor.Gjatë kësaj dite, ministrja Bajrami ka vizituar edhe shkollën “Fan S. Noli” në Kamenicë,  ku ka biseduar me menaxhmentin dhe mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi në këtë shkollë.

Last modified: 8 Qershor, 2022