14 Maj 2020
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka vizituar sot komunën e Gjilanit dhe atë të Vitisë, ku është informuar nga kryetarët e komunave, Lutfi Haziri dhe Sokol Haliti, si dhe drejtorët e DKA-ve dhe përfaqësues të prindërve e nxënësve, për punën që po bëhet në organizimin e mësimit në distancë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në këto dy komuna.
Ministrja Bajrami i përgëzoi udhëheqësit e komunave për mënyrën se si i janë çasur situatës, duke iu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë, e në veçanti për ndihmën në sektorin e arsimit në këtë kohë të pandemisë. Sa i përket mësimit në distancë, ministrja Bajrami theksoi se Ministria e ka filluar nga zero, por me një punë të madhe të rreth 200 vetave që kanë punuar, është arritur të bëhen 1800 ligjërata për një kohë shumë të shkurtë.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2020/05/foto2-viti.jpg)
Megjithatë, ministrja Bajrami tha se mësimi në distancë është i suksesshëm për arsye se ka pasur bashkëpunim të mirë me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit dhe kështu është krijuar mundësia të ofrohet mësim edhe në gjuhët e komuniteteve jo-shumicë.
Ministrja Bajrami foli edhe për organizimin e testeve të maturës dhe arritshmërisë, që do të organizohen sipas rekomandimeve të IKShP-së.
![](https://masht.rks-gov.net/uploads/2020/05/foto3-gjilan.jpg)
Last modified: 8 Qershor, 2022