05 Shkurt 2020
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka marrë pjesë sot në përurimin e objektit të ri të çerdhes “Yllkat” në Prishtinë, ku ka shprehur kënaqësinë e saj që në ditën e parë të mandatit të Ministres në këtë dikaster, e fillon në mesin e fëmijëve të kësaj moshe.
“Fëmijët janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe për ta duhet të punojmë ditë e natë, jo vetëm ne që jemi të kyçur në arsim, por të gjitha dikasteret, në mënyrë që të përmirësojmë kualitetin e jetës së tyre”, tha ministrja Bajrami.
Ministrja e Arsimit përmendi analizat e ekspertëve që tregojnë se dy vite të edukimit parashkollor ndikojnë në ngritje prej 40% të rezultateve në arsimin fillor dhe të mesëm. Prandaj, ajo theksoi se, prioritet i kësaj Qeverie është ngritja e kapaciteteve të tilla jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që të ketë përfshirje sa më të madhe të fëmijëve në këtë nivel, i cili do të japë rezultate të mira në arsimimin e mëtutjeshëm.
Last modified: 8 Qershor, 2022