Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është duke zhvilluar një vizitë në Izrael, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit në arsim, me theks të veçantë mundësitë për bashkëpunim në arsimin e lartë, sigurinë në shkolla, digjitalizmin dhe mundësitë e shkëmbimit të nxënësve e studentëve, në aspektin kulturor dhe edukativ.
Ministrja Nagavci me këtë rast është pritur në takim nga ministrja e Arsimit në Izrael, Yifat Shasha-Biton me të cilën kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave me interes të veçantë në fushën e arsimit.
Bashkëpunimi në mes të universiteteve nga Kosova dhe Izraeli ka qenë theksi kyesor i bisedës ndërmjet dy ministreve, të cilat janë pajtuar që kjo ide të kalojë në nivelin e veprimeve konkrete.
Ministrja Nagavci tha se jemi të interesuar për të hapur një kapitull bashkëpunimi në fushën e arsimit mes dy vendeve teksa shtoi se kemi shumë për të ofruar, por edhe për të mësuar nga sistemi arsimor i Izraelit.
Ajo ka kërkuar mbështetje nga qeveria izraelite edhe sa i përket çështjes së sigurisë në shkolla, përfshirë mbrojtjen e të dhënave të shkollave, sigurinë e fëmijëve në internet, si dhe dërgimin e ekspertëve të cilët do të ndihmojnë shkollat në Kosovë, në aspektin e rritjes së sigurisë në përdorimin e internetit.
Duke rikujtuar përvojën nga pritja e nxënësve nga Izraeli për vizitë në Kosovë, Nagavci ka thënë se do të shikohen mundësitë e dërgimit të nxënësve nga Kosova në Izrael, me qëllim të përfitimit të dyanshëm në aspektin kulturor dhe edukativ.
Me këtë rast, ministrja Nagavci e informoi ministren, Yifat Shasha-Biton se aktualisht janë 4 nxënës që studiojnë në shkollat e mesme – Givat Haviva dhe EMIS (Eastern Mediterranean International School dhe se jemi të interesuar të kemi prezencë më të madhe të studentëve tanë që studiojnë në Izrael.
Ajo tha se prania jonë e përhershme diplomatike në Jerusalem do të përfaqësojë jo vetëm interesin e intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, por edhe një dimension moral të lidhjes emocionale që ka nga e kaluara.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit në Izrael, Yifat Shasha-Biton ka thënë se e mirëpret hapjen e rrugës së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit në Kosovë, me besimin se do të ketë veprimeve konkrete në këtë drejtim.
Last modified: 27 Tetor, 2022