12 Gusht 2020
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Arsim rreth përgatitjeve për vitin e ri shkollor 2020/2021 dhe organizmin e mësimit në kushtet e pandemisë Covid-19.
Ministri Likaj dhe zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Arsimit, të cilët janë të përfshirë në grupin punues për përgatitjet rreth vitit të ri shkollor, kanë prezantuar në detaje master planin për organizmin e mësimit, i cili përfshinë tre skenarë, të cilët janë shpjeguar edhe në komunikatën paraprake
Në skenarin A është paraparë mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është paraparë kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe mësim në distancë. Në skenarin C është paraparë mësimi në distancë.
Ministri Likaj, rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe kërkesës për buxhet shtesë, i cili i nevojitet Ministrisë së Arsimit për organizmin e mësimit duke thënë se, mësimi në kushte të pandemisë kërkon kosto të lartë buxhetore.
Ministri Likaj ka përmendur gatishmërinë e donatorëve dhe partnerëve zhvillimor për të ndihmuar në blerjen e pajisjeve të nevojshme për nxënësit me nevoja të veçanta dhe nxënësit e grupeve të margjinalizuara, në mënyrë që t’u mundësohet qasje në edukim.
Ndër të tjera, ministri Likaj ka vlerësuar lartë organizmin e Testit të Maturës për nxënësit të cilët janë regjistruar në fakultete jashtë vendit, i cili është mbajtur më 10 gusht 2020, ndërkaq ka thënë se për pjesën tjetër të maturantëve Testi i Maturës do të organizohet më 29 gusht 2020, duke u zotuar se përgatitjet për këtë test janë në nivel profesional.
Last modified: 8 Qershor, 2022