07 Tetor 2020
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka pritur drejtorin e Zyrës së Save the Children në Kosovë, Ahmet Kryeziu me bashkëpunëtorët, Genta Gagica Binxhija dhe Valid Zhubi, me të cilët ka biseduar për mbështetjen që organizata ka ofruar në Kosovë në fushën e edukimit të hershëm dhe edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe synimet për të ardhmen.
Ministri Likaj, ka falënderuar pjesëmarrësit në takim për angazhimin e tyre për të mbështetur arsimin në Kosovë përmes programeve të organizatës Save the Children, në veçanti për përkrahjen pas situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, duke mbështetur platformën për edukimin parashkollor, në bashkëpunim edhe me UNICEF-in dhe atë për edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ministri Likaj ka folur edhe për rritjen e pjesëmarrjes së fëmijeve me nevoja të veçanta në sistemin e edukimit në Kosovë dhe politikat e Ministrisë për të mbështetur arsimin parashkollor edhe në vitet e ardhshme.
Ndërsa, drejtori i Zyrës së Save the Children në Kosovë, Ahmet Kryeziu, ka folur për veprimtarinë e organizatës dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë sektorit të arsimit në Kosovë dhe partneritetit të vazhdueshëm me MASh, sidomos në zhvillimin e kujdesit në fëmijërinë e hershme, bashkëpunim ky që tashmë ka prodhuar rezultate të dukshme.
Deri në nëntor të këtij viti Save the Children planifikon të shpërndajë mbi 300 pajisje teknologjike (tabletë) për fëmijët me nevoja të veçanta.
Last modified: 8 Qershor, 2022