MASHT

Ministri Hoxhaj ofroi detaje rreth vendimit për rritjen e pagave të mësimdhënësve për 50 për qind

22 Nëntor, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka dhënë sot më shumë detaje rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagave bazë për rreth 25 mijë mësimdhënës të Kosovës për 50 për qind nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Në një konferencë me gazetarë, ministri Hoxhaj përmendi faktin se kjo rritje e pagave të mësimdhënësve vjen pas asaj të vitit 2008, kur pagat e mësimdhënësve u ngritën për 47 për qind. Ai tha se në qershor të vitit 2010, kryeministri i Kosovës ka marrë iniciativën që të ndodhë përsëri një rritje e pagave në janar 2011, ndërsa në korrik të këtij viti është formuar një komision i përbashkët në mes të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave dhe SBASHK-ut, ku është punuar në mënyrë intensive që ta kemi një rritje të pagave për vitin 2011.

“Vendimit të djeshëm të kryeministrit për një rritje të pagave për 50 për qind i ka paraprirë një analizë që është bërë gjatë muajve korrik, gusht, shtator dhe tetor. Kjo ka qenë e paraparë të ndodhë edhe me projektimet buxhetore, por për shkak të asaj se ligji i buxhetit nuk ka mundur të miratohet për shkaqe që ju i dini, realisht nuk ka qenë e mundur që të projektohet gjatë kohës të cilën e kemi në vijim”, theksoi ai, ndërsa tha se ngritja e pagave ka të bëjë me ngritjen e cilësisë së arsimit dhe i referohet jo vetëm rreth 25 mijë mësimdhënësve, por rreth gjysmë milioni nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm dhe familjeve të tyre.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse ngritja e pagave ka të bëj me fushatën zgjedhore, ministri Hoxhaj ripërsëriti faktin se kur është formuar komisioni për këtë çështje në muajin korrik, askush nuk ka menduar se Kosova në fund të vitit do të ketë zgjedhje. “Ju siguroj se ky proces nuk lidhet me fushatën zgjedhore. Ky proces lidhet me përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve në sistemin tonë arsimor, ngritjen e cilësisë dhe me faktin se ne mësmimdhënësin e shohim si forcën më reformatore për zhvillimin e vendit”.

Ndërsa, në interesimin e gazetarëve nëse Kosova ka mundësi reale për këtë ngritje të pagave të mësimdhënësve, ministri Hoxhaj ndër të tjera rikujtoi se, kur ai ka marrë detyrën si ministër, granti i komunave ka qenë 70 milion euro, ndërsa tani granti i komunave është 110 milion euro. “Granti për komuna për vitin 2011 duket të jetë 130 milion euro për vitin 2011 dhe kjo rritje e granteve do të ndikojë në rritjen e pagave”.

“Kjo i referohet një pune shumë serioze që ka bërë MASHT, i referohet një formule të re që ne e kemi bërë së bashku me Bankën Botërore dhe shumë përgjegjësi duhet të kalojnë dhe i kanë kaluar direkt komunave”, tha ministri Hoxhaj.

Pagat e mësimdhënësve janë ngritur për 47 për qind në vitin 2008, ngritje kjo që është vlerësuar edhe si reformë e sistemit të pagave. Para këtij viti të gjithë mësimdhënësit në Republikën e Kosovës kanë pasur një pagë lineare, e cila ka bërë që ata të paguhen pavarësisht përvojës, kualifikimit etj.

Last modified: 26 Gusht, 2022