MASHT

Ministri Hoxhaj mori pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit akademik në UP

4 Tetor, 2010

“Janë disa ide dhe ideale që kanë mbajt Republikën e Kosovës. Këto ideale dhe këto ide kanë lindur dhe janë zhvilluar në Universitetin e Prishtinës, sepse Universiteti i Prishtinës ka qenë djepi dhe forca e shtetit tonë”. Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj në ceremoninë solemne të organizuar në Sallën e Kuqe të Fakultetit të Filologjisë, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

Fillimin e vitit të ri akademik, ministri Hoxhaj e vlerësoi si një ngjarje me rëndësi për Kosovën, dhe theksoi se tetori dhe fillimet e viteve akademike kanë qenë të ndryshme, “nganjëherë të okupuar, nganjëherë me protesta, e nganjëherë filluan nëpër shtëpi private”. Ai theksoi se UP-ja ka pas shumë ngritje dhe rënie, por çdoherë ka pasur besim dhe sot ky besim po fillon që shumë gjenerata në UP të bëjnë një Kosovë evropiane.

 Ministri Hoxhaj theksoi edhe synimin e MASHT-it për përfshirje sa më të madhe të të rinjve në arsimin e lartë. “Universiteti i Prishtinës këtë vit ka marr një vendim të rëndësishëm që të rrit numrin e studentëve të rinj, pra ka ofruar 20 mijë vende për brucoshët e rinj dhe kjo flet për një përfshirje të cilën e ofron UP-ja për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, rektori i UP-së, Mujë Rugova, duke vlerësuar angazhimin e stafit dhe studentëve, tha se UP-ja tash e një gjysmë shekulli ka zgjuar ndërgjegjen kombëtare në tërë hapësirën shqiptare, kështu që lirisht mund të thuhet se ka qenë paraprijës i lirisë së Kosovës.

“Uroj që këta studentë me punën e tyre ta arsyetojnë vendin e zënë në bankat e këtij universiteti dhe në të ardhmen të jenë baza e fuqishme për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Puna e tyre në të ardhmen do të krijojë rrugë dhe mundësi të reja për gjeneratat që vijnë”, tha ai.

Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Selim Daku, ndër të tjera falënderoi iniciativën për ngritjen e numrit të studentëve të rinj duke thënë që kjo do të ndikojë që të kemi një shoqëri të arsimuar

Last modified: 26 Gusht, 2022