MASHT

MINISTRI BYTYQI RAPORTOI PARA KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR TË DREJTAT E NJERIUT

12 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, raportoi para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013-2023, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatave dhe asociacioneve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuar.

Ministri Bytyqi me këtë rast ndër tjera tha se, MAShT bazuar në masat të cilat janë përcaktuar në Planin nacional për personat me aftësi të kufizuara, i ka adresuar të gjitha obligimet që dalin për MAShT dhe janë marrë hapa konkret që këto të realizohen.

Ministri theksoi se së pari është plotësuar infrastruktura ligjore, e cila është në zbatim, ndërsa janë hartuar edhe instrumentet e standardizuara për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve më aftësi të kufizuara, i cili ka filluar të pilotohet në 7 komuna me 14 shkolla në bashkëpunim me Universitetin e Padovës dhe atë të Bolonjës, projekt ky i cili do të zgjasë deri në qershor të vitit 2019.

Në vazhdim, ministri Bytyqi tha se, janë hartuar edhe parametrat e financimit për nxënësit me nevoja të veçanta dhe se kjo do të ndikojë në rritjen e cilësisë së përkujdesjes së shoqërisë sonë për këta nxënës.

“MAShT në bashkëpunim me institucionin PEARSON të Anglisë, gjatë vitit 2017 ka përgatitur gjeneratën e parë prej 54 asistentëve për nxënësit me nevoja, ndërsa gjatë këtij muaji ka filluar përgatitja e gjeneratës së dytë  prej 75  sish për këtë çështje”, tha ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, gjithashtu përmendi edhe faktin se, me grandin specifik për vitin 2019  është planifikuar të  punësohen 100 asistentë të cilët do të shpërndahen  sipas kërkesave dhe nevojave të specifikuara nga komunat, ndërsa në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit, pritet të angazhohen edhe 100 studentë praktikantë.

Ministri Bytyqi, po ashtu tha se, janë punësuar një numër i konsiderueshëm asistentësh dhe profesorësh që do të ndihmojnë në procesin e mësimnxënies për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa shtoi se janë formuar edhe ekipet vlerësuese në 24 komuna dhe janë bërë trajnime adekuate në bashkëpunim me Forumin Kosovar dhe UNICEF-in.

Ministri Bytyqi foli edhe për angazhime tjera të MAShT në funksion të përmbushjes  së obligimeve të përcaktuar në Planin nacional për personat me aftësi të kufizuara dhe për të ofruar një arsim cilësor për të gjithë .

Last modified: 10 Nëntor, 2022