Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë, të kryesuar nga Flora Kelmendi, eksperte Arsimit të Lartë dhe Joel Reyes, ekspert i Zhvillimit të Edukimit dhe Zhvillimit Institucional, me të cilët ka biseduar për angazhimet në mbështetjen e zbatimit të projektit të Përmirësimit të Sistemit Arsimor në Kosovë (ESIP).
Ministri Bytyqi pasi ka prezantuar programin, i cili pritet të realizohet gjatë këtij mandati në fushën e arsimit, ka thënë se është bërë punë e mirë në hartimin e strategjive dhe kurrikulave dhe se duhet të vazhdohet të ecet përpara në zbatimin e tyre.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka folur edhe për avancimin e mirëfilltë të arsimit profesional, ngritjen e kapaciteteve shtesë të mësimdhënësve dhe aplikimin e arsimit tërëditor, i cili si proces kërkon periudhë afatgjate.
Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Joel Reyes ka thënë se do të mbështeten politikat arsimore, të cilat u paraqitën nga Ministri, ndërsa shtoi se, projekti ESIP është hartuar mbi themelet e qasjes së MAShT dhe ka për qëllim të shërbejë si katalizator i reformave arsimore në të ardhmen.
Last modified: 25 Gusht, 2022