Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot në takim zëvendësdrejtoren e USAID-it, Lisa Mango dhe përfaqësues të tjerë të kësaj organizate në Kosovë, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e arsimit.
Ministri Bytyqi ka falënderuar USAID-in për ndihmën e madhe që i ka dhënë arsimit me projekte shumë të rëndësishme që kanë ndihmuar arritjet në këtë sektor. Ndërsa, ai kërkoi që mbështetje të mëtutjeshme në drejtim të arritjeve të reja drejt një arsimi cilësor.
Ndërsa, zv/drejtorja Mango, ndër të tjera, paraqiti projektin e ri të USAID-it “Mbështetja e adoleshentëve pas mësimit të rregullt”, i cili do të jetë i koncentruar në gjimnaze, në mënyrë që të rinjtë e Kosovës të mos jenë të koncentruar vetëm në shkathtësi akademike, por edhe në ndërmarrësi.
Ministri Bytyqi tha se ky program është shumë i rëndësishëm për mundësitë që jep dhe në kohën që po bëhet. “Jemi shumë të interesuar për cilësi në arsimin parauniversitar, sepse konsideroj se ky nivel i arsimit është çelësi për të rritur cilësinë edhe në arsimin e lartë”.
Ministri theksoi po ashtu se me ndryshimet e parapara me programin qeverisës për arsimin parauniversitar, do të jenë pikërisht gjimnazet që do të nxjerrin studentë për universitetet në Kosovë.
Last modified: 25 Gusht, 2022