MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI NJË GRUP PROFESORËSH DHE UDHËHEQËS TË SHKOLLAVE TË TIRANËS

9 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti një grup të intelektualëve, përfshirë udhëheqës të shkollave, profesorë dhe pedagogë të shkollave të Tiranës, të cilët po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Kjo vizitë po realizohet në kuadër të aktiviteteve gjithëkombëtare për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, njëherësh për të shënuar edhe 12 vjetorin e bashkëpunimit dhe binjakëzimit mes shkollave të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

Ministri Bytyqi tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes institucioneve tona në të gjitha nivelet e arsimit, përfshirë zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta me mësimdhënës dhe nxënës dhe këmbimin e vizitave reciproke.

Ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë që të përkrahë çdo iniciativë që qon drejt thellimit të bashkëpunimit reciprok në arsim në mes dy vendeve dhe që fuqizon rrugëtimin e përbashkët integrues në proceset edukative dhe arsimore.

Në këtë takim u fol për përvojat e deritashme të bashkëpunimit mes shkollave të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa u bisedua edhe për angazhimet e MAShT në mbështetjen e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Mal të Zi, Maqedoni dhe Preshevë, Bujanovc e Medvegjisë, si dhe të gjithë fëmijëve shqiptarë që jetojnë në diasporë.  

Last modified: 10 Qershor, 2022