MASHT

Ministri Bytyqi priti një delegacion nga Universiteti “James Madison” i Virgjinias

5 Mars, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti një delegacion nga Universiteti “James Madison” i Virgjinias (ShBA), të përberë nga zëvendëskryetarja e Universitetit, Dr.Heather J Coltman, drejtori i programeve ndërkombëtare, Chin Hong Wang (Felixs) dhe drejtorja e programit për bashkëpunim ndërkombëtar, Vesna Hart.

Në këtë takim u bisedua për mundësitë e vazhdimit dhe zgjerimit  të bashkëpunimit të  Universitetit “James Madison” me universitetet në Kosovë, sidomos në fushën e mobilitetit të studentëve dhe profesorëve, ndërsa u bisedua edhe për nevojën e një studimi sa i përket vlerësimit të profesioneve dhe harmonizimin e tyre me tregun e punës.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar përfaqësuesit e këtij universiteti amerikan për bashkëpunimin e deritashëm dhe u shpreh i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të zgjerohet në të ardhmen. 

Ndërsa, Ministri theksoi se mobilitetin e studentëve dhe profesorëve tanë e konsideron shumë të rëndësishëm dhe si një mundësi të mirë që të përfitojmë nga përvojat më të mira amerikane në arsimin e lartë.

Nga ana e saj, Dr.Heather J Ciotman, u shpreh se bashkëpunimi i deritashëm është në nivel të duhur dhe se Universiteti “James Madison “, mbetet i hapur për zgjerim të bashkëpunimit në të ardhmen. Ajo, gjithashtu tha se, ekziston një interesim i shtuar i studentëve dhe profesorëve amerikanë që të vijnë  në Kosovë, me qëllim të këmbimit të përvojave.

Universiteti “James Madison”, ka rreth 70 programe në gjithë hapësirën ndërkombëtare të studimeve të larta.

Last modified: 24 Gusht, 2022