Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim Këshillin Shkencor të MASHT (KSh-MASHT), me të cilët bisedoi rreth zhvillimeve aktuale, sfidat dhe punën që ata bëjnë në aspektin e realizimit të objektivave që dalin nga Plani kombëtar i shkencës, motivimi i shkencëtarëve të rinj si dhe afirmimi i të arriturave shkencore në Kosovë.
Ministri Bytyqi ka falënderuar anëtarët e Këshillit Shkencor për angazhimin dhe përkushtimin e tyre profesional në zhvillimin e shkencës në Kosovë, ndërsa shprehu gatishmërinë që ti mbështesë ata në punën e mëtejme me interes kombëtar.
Në këtë takim u shtrua nevoja për organizimin e një tryeze të rrumbullakët njëditore, në të cilën do të ishin të pranishëm edhe nënkëshillat shkencorë, universitetet publike dhe kolegjet private, ku do të bisedohej për mundësinë e mbështetjes së Këshillit Shkencor
edhe nga ana e ekspertëve shkencorë në fusha të ndryshme, si dhe mundësitë e shkencëtarëve dhe hulumtuesve të rinj në punën kërkimore shkencore.
“Tashmë janë krijuar mundësi të reja për hulumtuesit dhe shkencëtarët e rinj që të shfrytëzojnë benefitet e krijuara me anëtarësimin e MAShT (Kosovës) në COST, mundësitë që ofron projekti HORIZON 2020 etj, për të zhvilluar projektet dhe idetë e tyre inovative që mundë të kenë”, tha Ministri Bytyqi .
Në këtë takim u fol edhe për nevojën e një modeli të ri të organizimit të “Javës së Shkencës” e cila tashmë është tradicionale dhe organizohet çdo vit nga MAShT.
Last modified: 10 Qershor, 2022