MASHT

Ministri Bytyqi priti ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë

13 Mars, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë, Ilia Strashevski, me të cilin ka biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe temat e mundshme për diskutim në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Ministri Bytyqi theksoi se bashkëpunimi rajonal është në të mirë të ngritjes së cilësisë në arsim në të gjitha vendet e rajonit dhe MAShT është e hapur për bashkëpunim, sidomos me vendet fqinje.

Ministri theksoi se, në mesin e temave që janë planifikuar të diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive është edhe njohja e diplomave mes dy shteteve dhe mundësitë e lehtësimit të procedurave për nostrifikimin e tyre, si dhe mobiliteti i studentëve dhe mësimdhënësve. 

Ndërkaq, ambasadori Strashevski theksoi se Maqedonia ka një bashkëpunim të mrë me Kosovën në fushën e arsimit, por tha se ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit. Ai përmendi faktin se tashmë është duke funksionuar edhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, ku Kosova mund të japë kontribut në zhvillimin e këtij Universiteti.

Gjatë këtij takimi, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e shkencës, në mënyrë që të të dy vendet të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Evropian me projekte të përbashkëta. 

Last modified: 24 Gusht, 2022