MASHT

Ministri Bytyqi priti ambasadorin e Austrisë në Kosovë dhe përfaqësues të KulturKontakt Austria

30 Janar, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler të shoqëruar nga udhëheqësja e Departamentit për Arsim të organizatës austriake KulturKontakt Austria, Monika Mott dhe koordinatoren e Zyrës Regjionale të kësaj organizate me seli në Tiranë, NinaBesirevic, e cila është edhe përgjegjëse për projektet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Në këtë takim është biseduar për projektet e realizuara deri më tani nga KulturKontakt Austria në Kosovë, organizatë e cila ka në fokus arsimin parauniversitar, e sidomos arsimin dhe aftësimin profesional, ku deri më tani janë realizuar projekte të rëndësishme për aftësimin e ndënësve dhe rritjen e cilësisë në mësimdhënie. 

Ministri Bytyqi falënderoi shtetin austriak për ndihmën e madhe që ka dhënë nëpër vite për arsimin në Kosovë, ndërsa kërkoi ndihmën e Austrisë për hartimin e Strategjisë për Arsimin Profesional, e cila është në fazën e parë të hartimit dhe synon të rrisë cilësinë dhe të zhvillojë arsimin dhe aftësimin profesional.

Ndërsa, përfaqësues të KulturKontakt Austria theksuan se, aktualisht janë duke hulumtuar se ku mund të fokusojnë fillimin e një projekti të ri regjional dhe deri më tani kanë vërejtur se është rritur interesimi i bizneseve për arsimin dhe aftësimin profesional, që është një mundësi e mirë e thellimit të bashkëpunimit të shkollës me ndërmarrje.  

Last modified: 24 Gusht, 2022