Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin bisedoi për zhvillimet në arsim, planet për të përmirësuar gjendjen në të gjitha nivelet, si dhe nevojën për mbështetjen e partnerëve në realizimin e synimeve për ngritje të cilësisë.
Ministri Bytyqi falënderoi shtetin austriak për ndihmën që i ka dhënë Kosovës, duke e ndihmuar arsimin, në kohën kur vendi ynë, e sidomos fusha e arsimit po kalonte kohë të vështira.
“E vlerësoj lartë angazhimin e Austrisë në stabilizimin e gjendjes në arsim dhe jemi të hapur për bashkëpunim të mëtutjeshëm”, tha ministri Bytyqi, pasi që theksoi faktin se Austria ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm në arsim, duke e ndihmuar ngritjen dhe përparimin në këtë sektor , sidomos në fushën e arsimit të lartë, përmes projekteve të mëdha.
Ndërsa, pasi që foli për synimet e Ministrisë për ngritjen e cilësisë në arsim, ministri Bytyqi kërkoi përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit austriak.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler ka uruar ministrin për detyrën e re, ndërsa ka theksuar se sektori i arsimit është thelbësor për Kosovën dhe në këtë aspekt, MAShT ka përgjegjësinë që të ofrojë arsimim cilësor.
Në këtë drejtim, ambasadori Pfandler, përmendi fokusimin e Austrisë në mbështetje të arsimit të lartë dhe theksoi se shteti i tij do të vazhdojë të mbështes edhe më tej arsimin në Kosovë dhe shtoi se arsimi është shtylla e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona .
Last modified: 25 Gusht, 2022