Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në arsim mes dy vendeve, për projektet në proces dhe mundësitë për bashkëpunim në projekte të reja.
Ministri Bytyqi e falënderoi ambasadorin austriak për mbështetjen e madhe që ka dhënë vazhdimisht shteti i tij dhe për ndihmën e vazhdueshme, e cila po i kontribuon ngritjes së cilësisë në arsim.
Në këtë takim është diskutuar edhe për projektet e MAShT, të cilat janë në proces, siç është projekti ALLED (i cili po ndihmon shumë në zhvillimin e shkollave profesionale), HERAS (projekt që po e ndihmon MAShT-in në procese të rëndësishme në arsimin e lartë në Kosovë), etj.
Ministri theksoi se është lajm i mirë që tashmë është duke kaluar nëpër procedura në Kuvend një marrëveshje shumë e rëndësishme mes MAShT dhe ADA-s austriake.
Ambasadori Pfandler theksoi se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në synimet e saj për ngritjen e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.
Last modified: 24 Gusht, 2022