MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI AMBASADOREN E IZRAELIT NË BEOGRAD

30 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadoren e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm, me të cilën ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës mes dy vendeve.

Ministri Bytyqi ka falënderuar Ambasadoren për bashkëpunimin e deritanishëm të Izraelit me Kosovën, por ka theksuar nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi dhe në këtë drejtim ka përmendur historinë e mirë që ka populli ynë me popullin hebre gjatë holokaustit dhe në vazhdimësi.

Ministri theksoi se në arsimin e Kosovës tashmë kanë filluar reforma dhe si fusha ku ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtarë përmendi zhvillimin në fëmijërinë e hershme, arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, mobilitetin e studentëve dhe mësimdhënësve, por edhe bashkëpunimin në shkencë, ku Izraeli ka shumë të arritura.

Ministri Bytyqi tha se edhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes universiteteve izraelite dhe atyre në Kosovë do të ishte i një rëndësie të veçantë për arsimin e lartë, pasi që Izraeli është një prej vendeve që kanë praktika të mira në arsim të lartë dhe shkencë.

Ndërsa, ambasadorja e Izraelit në Beograd, Alona Fisher-Kamm theksoi se është e rëndësishme që të identifikohen fushat e bashkëpunimit, ndërsa përmendi disa mundësi që ofron shteti i saj dhe që janë më të lehta për t’u realizuar.

Ambasadorja Alona Fisher-Kamm theksoi se Izraeli është i hapur për bashkëpunim institucional, por edhe me OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në fund të këtij takimi, ministri Bytyqi me Ambasadoren u dakorduan që të vendosen pikat kontaktuese në mënyrë që të fillohet sa më parë bashkëpunimi për projekte konkrete.

Më pas, ministri Bytyqi dhe ambasadorja Alona Fisher-Kamm kanë bërë homazhe te varrezat e hebrejve në Prishtinë.

Last modified: 10 Qershor, 2022