MASHT

MINISTRI BYTYQI ORGANIZOI PRITJE DHE NDAU MIRËNJOHJE PËR MËSIMDHËNËSIT E MËSIMIT SHQIP NË DIASPORË

6 Gusht, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka organizuar pritje për mësimdhënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, të cilëve iu ka ndarë edhe mirënjohjepër punën e suksesshme me nxënësit shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare.

Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur mirënjohës dhe falënderues ndaj mësimdhënësve shqiptarë kudo që jetojnë, e qëjapin kontribut të madh që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare.

Pasi që vuri në theks se sistemi i mësimit shqip në diapsorëështë pjesë e sistemit të arsimit në atdhe, ministri Bytyqi tha se misioni i mësuesit është i shenjtë dhe i cilësoi ata si patriotë që me përkushtim e vullnet po kontribuojnënë mësimin e gjuhës shqipe, ruajtjen e traditës  dhe kulturës sonë kombëtare tek të rinjtë tanë në diasporë.

Pasi që theksoi faktin se diaspora dhe mërgata shqiptare ka qenë shpresa e madhe për Kosovën në ditë të vështira dhe ka dhënë kontribut të çmuar, theksoi se tani është koha që institucionet tona të mbështesin shkollën shqipe në diasporë.

“Si institucione kemi obligim t’ju krijojmë mundësi dhe kushte që në diasporë të zhvillohet mësimi, në mënyrë që të rinjtë tanë dhe fëmijët tanë ta ruajnë të pastër gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë tonë”, tha Ministri, ndërsa u shpreh i sigurtë se me një organizim të institucioneve të vendit (Kosovës dhe Shqipërisë), dhe të mësuesve në diasporë mund të arrihet ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare kudo që jetojnë shqiptarët.

Ministri Bytyqi foli edhe për punën që po bën MAShT duke u munduar që të artikulojë çdo kërkesë të diasporës shqiptare, për të ndihmuar kështu zhvillimin e mësimit shqip. Pasi që foli për tesktet shkollore dhe kurrikulat për mësimin shqip në diasporë, Ministri theksoi se shpreson që marrëveshjet e nënshkruara mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për financimin e mësimit shqip në diasporë, të fillojnë të implementohen sa më shpejt.

Ministri Bytyqi, po ashtu, kërkoi bashkëpunim mes institucioneve dhe mësimdhënësve në diasporë, në mënyrë që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

“Ne zotohemi që, duke bashkëvepruar me Ministrinë e Arsimit në Tiranë, të jemi pranë jush, të ju ndihmojmënë mësimin e gjuhës shqipe fëmijëve tanë, që fëmijët nga perëndimi t’i kenë dyert e hapura në Kosovë në çfarëdo ideje dhe perspektivetë Kosovës”, tha ministri Bytyqi.

Në fund, ministri Bytyqi u ndau mirënjohje mësimdhënësve të diasporës për punën e suksesshme me nxënësit shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës  shqiptare në diasporë.

Last modified: 10 Qershor, 2022