MASHT

MINISTRI BYTYQI NËNSHKRUAJTI MARRËVESHJEN “ERASMUS+”, PROGRAMI MË I RËNDËSISHËM PËR STUDENTË DHE PROFESORË

5 Qershor, 2018

Sot në Bruksel, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe Komsioneri Evropian për Edukim, Kulturë, Rini dhe Sport, Tibor Navracsics, kanë nënshkruar Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “Erasmus+”, programin e Unionit për arsim, trajnim rini dhe sport.

Kjo Marrëveshje hapë rrugë për studentët dhe profesorët, institucionet, organizatat dhe individët, të cilët me nënshkrimin e kësaj marrëveshje janë të barabartë me konkurruesit tjerë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, ministri Bytyqi falënderoi komisionerin Navracsics për mundësinë që i ka dhënë Ministrisë së Arsimit për të nënshkruar një marrëveshje kaq të rëndësishme për arsimin në Kosovë, ndërsa theksoi se programi “Erasmus+” në Kosovë është i njohur dhe ka pasur praktika të mira deri më tani.

“Me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje i kemi ofruar mundësi të rinjve tanë, studentëve dhe mësimdhënësve tanë, që të përfitojnë nga ky program dhe do të ndihmohet forma e bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, e cila është tejet e nevojshme”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se me kombinimin e zyrës së “Erasmus+” në Kosovë dhe asaj në Bruksel, do të kemi mundësi të mobilitetit të studentëve tanë, për stafin mësimdhënës dhe për trajnime të ndryshme.

Ministri Bytyqi tha se do të jemi të kujdesshëm që këto tri pika që janë paraparë në këtë program, t’i shfrytëzojmë në mënyrë sa më të mirë. “Ne edhe në të kaluarën kemi pasur mobilitet të studentëve dhe mësimdhënësve me disa institucione të Evropës, të cilat vërtetë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë në arsim. Ministri Bytyqi tha se mundësia që është dhënë me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje, do të jep mundësi edhe më të madhe në këtë drejtim”.

Ministri Bytyqi theksoi se MAShT do të ndihmojë institucionet tona që sa më mirë t’i shfrytëzojnë këto fonde, ndërsa u shpreh i sigurt se më këtë po i hapet perspektivë ndërkombëtarizimit të arsimit të Kosovës dhe do të jetë një rrugëtim më i lehtë drejt integrimit evropian.

Ndërsa, komisioneri Tibor Navracsics shprehu kënaqësinë që arsimi në Kosovë do të përfitojë nga kjo Marrëveshje dhe theksoi se janë shumë pika ku mund të fillojë menjëherë bashkë​punimi.

Last modified: 13 Qershor, 2022