Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: Kriza e klinikave të QKUK-së, si pasojë e mungesës së profesorëve në Fakultetin e Mjekësisë, në të cilën u diskutua për mungesën e kuadrove në klinikat e QKUK-së, ku sipas të dhënave të prezantuara del se gjendje jo e mirë është në Klinikën e Kirurgjisë, Internos, Pediatrisë dhe Gjinekologjisë.
Në këtë tryezë, përveç ministri Bytyqi, i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe këshilltari i kryeministrit, Luan Jaha, të cilët ofruan gatishmërinë për mbështetje në tejkalimin e situatës së krijuar në klinikat e lartpërmendura.
Ministri Bytyqi me këtë rast tha se, sipas informatave të prezantuara situata është shqetësuese, sepse Fakulteti i Mjekësisë shkon përtej edukimit të shoqërisë, duke qenë se kemi të bëjmë me edukimin dhe shëndetin e njerëzve.
Ministri Bytyqi si mundësi për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme e shtroi idenë e formimit të një grupi punues, i cili pas grumbullimit të informacioneve do të dilte me rekomandime, të cilat do të qonin në angazhimin e institucioneve, Qeverisë dhe ministrive përkatëse.
“Pjesëmarrja e përfaqësueseve të kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë tregon që si Qeveri jemi të gatshëm për të mbështetur dhe zgjidhur problemet. Jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe mbështetje, mirëpo para se të vijmë te mbështetja finale duhet të bëhen disa hapa të tjerë. Duhet ta dimë saktësisht cilat kanë qenë shkaqet që e kanë sjellë situatën deri këtu, në mënyrë që kur të japim propozime për zgjidhjen, të mos na përsëritet situata që ka qenë paraprakisht”, është shprehur ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi theksoi se, nëse ka kuadro të mjaftueshme, por mungon riorganizimi, atëherë Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë do të mbështesin zgjidhjen e këtij problemi, i cili flet për një problem ku përfshihen dy institucione të rëndësishme: Fakulteti i Mjekësisë dhe QKUK-ja.
Last modified: 24 Gusht, 2022