MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në takim me drejtorët komunalë të Arsimit

26 Shtator, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në takimin e rregullt me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), në të cilin u fol për zhvillimet aktuale në arsim dhe angazhimet e mëtutjeshme në këtë sektor, në funksion të rritjes së cilësisë.

Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur se, është e nevojshme që të ketë një koordinim me Drejtoritë e Arsimit në secilën komunë, me qëllim që të përmbushen obligimet e përbashkëta  dhe të bëhet më e mira për arsimin në Kosovë.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, do të angazhohemi që cilësia e arsimit në nivelin  parauniversitar të ndryshojë për mirë, që të kemi një model të përshtatshëm lidhur me zbatimin e kurrikulës së re me qëllim të rritjes së cilësisë.

Më tej, ministri Bytyqi bëri të ditur se në një takim me Ministren e Arsimit të Shqipërisë  në Tiranë është folur edhe për  mundësinë e formimit të një grupi të përbashkët  ndërministror të të dyja vendeve, me qëllim rishikimi të sistemit arsimor.

Ministri Bytyqi gjithashtu tha është i angazhuar dhe po shqyrton mundësitë e  aplikimit të mësimit tërëditor në arsimin parauniversitar, ndërsa theksoi se është i vetëdijshëm që aktualisht në këtë aspekt  ka probleme infrastrukturore.

Në këtë kontekst, ministri Bytyqi i porositi përgjegjësit komunal të arsimit që brenda një afati të shkurtër kohor të sjellin raporte të detajuara për gjendjen aktuale dhe nevojat për përmirësim të infrastrukturës dhe kësisoj të shikohet edhe kostoja buxhetore.

Në  fund, ministri Bytyqi duke uruar punë të suksesshme drejtorëve komunal kërkoi nga ata bashkëpunim të sinqertë, me qëllim që të bëjmë më të mirën për arsimin në Kosovë. 

Last modified: 25 Gusht, 2022