Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, morën pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Garës me Tabela e cila është zhvilluar në rreth 250 shkolla të Kosovës, në kuadër të projektit për arsim e GIZ-it Gjerman dhe fushatës së MAShT për një arsim më të mirë që po zhvillohet me moton “Arsimi ne dorën tënde”.
Me këtë rast Ministri Bytyqi, duke uruar shkollat fituese të këtyre tabelave,ndër tjera tha se pjesëmarrja dhe gjithëpërfshirja në arsim,është objektiv i parë i “Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017-2021”. Kjo është një nga themelet e krijimit të një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë dhe për shfrytëzimin e potencialit më të mirë të të gjithëve në funksion të zhvillimit të vendit.
Ministri Bytyqi gjithashtu theksoi se kurrikula e re arsimore, ka një qasje gjithëpërfshirëse me nxënësin në qendër e që promovon mundësi të barabarta.
Duke folur për mbështetjen dhe bashkëpunimin me GIZ-in, ministri Bytyqi tha se jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbetemi të angazhuar së bashku për një arsim cilësor në Kosovë.
Fituese të kësaj gare, ku nxënësit kanë marr pjesë me aktivitete të ndryshme kreative kulturore, edukativo – arsimore, janë 117 shkolla nga 12 komuna të Kosovës, në mesin e të cilave janë numër i konsiderueshëm sish ku zhvillohet mësimi me fëmijët e komuniteteve.
Ndryshe shkollat konkurruese është dashur të plotësojnë disa kritereve në mesin e të cilave ishte edhe hapësira (muri i pastër) e shkollës, pjesëmarrja e komunitetit të prindërve dhe sukseset e nxënësve në gara e aktivitete të ndryshme motivuese, të organizuara enkas për këtë çështje.
Last modified: 24 Gusht, 2022