Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka përsëritur para Komisionit Parlamentar për Arsim qëndrimin e tij se, vendimi për orët e humbura gjatë grevës në arsim duhet të zbatohet i plotë, në mënyrë që të mos humbin nxënësit.

Në mbledhjen, e cila është mbajtur me ftesë të Komisionit Parlamentar për Arsim, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, pas diskutimeve të shumta, ministri Bytyqi është pajtuar me propozimin e Komisionit që edhe këtë të shtunë të mos ketë zëvendësim të orëve të humbura, por kjo të fillojë nga e shtuna e ardhshme. Për këtë, MAShT do t’i njoftojë edhe zyrtarisht Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Komisioni Parlamentar për Arsim e ka vlerësuar planin e Ministrisë për zëvendësimin e orëve të humbura, ndërsa ky propozim është bërë për t’i dhënë kohë Sindikatës që të reflektojë pozitivisht dhe mësimi të fillojë të zëvendësohet nga e shtuna e ardhshme.
Megjithatë, në këtë mbledhje, ministri Bytyqi ka përmendur disponimin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të fillojë zbatimi i vendimit për kompenzimin e orëve të humbura, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore ndaj të gjithë individëve që do të përpiqen ta pengojnë zbatimin e vendimit.

Last modified: 9 Qershor, 2022