MASHT

Ministri Bytyqi i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me organizatat studentore

4 Mars, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, është takuar sot me përfaqësuesit e organizatave studentore, të cilët i ka informuar për situatën e krijuar në raport me EQAR.

Ministri Bytyqi i ka siguruar përfaqësuesit e studentëve se nuk ekziston asnjë problem lidhur me njohjen e diplomave të studentëve tanë nga Bashkimi Evropian. Ai tha se shqetësimet e studentëve janë reale dhe lidhen kryesisht me vullnetin dhe angazhimin e tyre për të depolitizuar sistemin arsimor në Kosovë dhe për të garantuar zhvillim cilësor të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

Ministri i siguroi studentët se janë në një linjë dhe se kontributi i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i veçantë, në mënyrë që bashkë me shoqërinë civile dhe gjithë mekanizmat tjerë të monitorojnë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe ta vlerësojnë pavarësinë e funksionimit të kësaj Agjencie.

Me këtë rast, ministri Bytyqi i informoi studentët për të gjithë hapat që po ndërmerr Ministria që periudhën prej 90 ditësh, si e drejtë për ankimim, ta shfrytëzojë maksimalisht për t’u rikthyer si pjesë e EQAR dhe në vazhdimësi sistemi arsimor në Kosovë të garantojë zhvillim normal dhe cilësor.

Në fund të takimit, ministri Bytyqi kërkoi edhe një herë që bashkëpunimi me përfaqësuesit e organizatave studentore të rritet dhe të forcohet, në mënyrë që MAShT të jetë në dijeni për secilin shqetësim që studentët e kanë dhe së bashku të mund t’u jepen zgjidhje problemeve që janë krijuar ndër vite në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë. 

“Jam i inkurajuar me vizionin dhe përkushtimin e organizatave studentore, për t’i dhënë një drejtim të ri sistemit arsimor në Kosovë, në mënyrë që t’u bëjmë ballë faktorëve të jashtëm që tentojnë të cënojnë zhvillimin e arsimit në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Last modified: 24 Gusht, 2022