MASHT

Ministri Bytyqi dhe përfaqësuesit e ORCA-s biseduan për konkursin e shpallur në UP dhe avancimet akademike

8 Maj, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur përfaqësues të organizatës ORCA, të prirë nga Rron Gjinovci, me të cilët ka biseduar për konkursin e shpallur në Universitetin e Prishtinës, i cili mbyllet më 14 maj, si dhe avancimet akademike.

“Ju e dini se ka qenë një prioritet i Ministrisë që nga momenti kur e kemi marrë përgjegjësinë e menaxhimit çështja e avancimeve akademike për shkak të problematikave që vazhdimisht janë shfaqur”, tha me këtë rast ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi theksoi se është bërë hap pozitiv në draftimin e udhëzimit administrtaiv, me të cilin janë bërë të qarta procedurat në lidhje me avancimet akademike dhe në përputhshmëri me të Universiteti ka hartuar një rregullore. “Tani janë krijuar të gjitha kushtet që të kemi avancime akademike çfarë i ka hije një universiteti. Ne presim që ky konkurs, të jetë një punë e drejtë, duke respektuar të gjitha rregulloret dhe ligjet në fuqi, me të vetmin qëllim që t’ju ofrojmë studentëve tanë studime cilësore”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi bëri thirrje që të ketë sa më shumë aplikime në këtë konkurs, e veçanërisht atyre që kanë mbaruar studime të doktoratës në universitete të njohura evropiane e më gjerë. “Ne konsiderojmë si Ministri, dhe padyshim që do ta kemi edhe përkrahjen e Qeverisë, që të gjejmë forma edhe stimuluese, në mënyrë që këta profesorë eminentë të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës”.

Ministri Bytyqi tha se ORCA ka një formë të mirë të mbikëqyrjes në këtë drejtim që ka dhënë rezultate dhe ka ndihmuar Universitetin e Prishtinës dhe do të jetë një kontribut i tyre edhe në këtë konkurs.

Përfaqësuesi i ORCA-s, Rron Gjinovci, ndërkaq, pasi foli për punën që është bërë deri më tani për cilësi në Universitetin e Prishtinës,  iu bëri thirrje, po ashtu, të gjithë atyre që mendojnë se i plotësojnë kriteret, apo të cilët kanë mbaruar studime superiore jashtë vendit, që të aplikojnë, sepse ai tha se meritokracia do të jetë garanci e qindpërqindt sa i përket pjesës që duhet ta bëj ORCA si organizatë e shoqërisë civile.

“Për të gjithë ata që mund të përballen me ndonjë padrejtësi, do të jemi krah i tyre i djathtë dhe në luftën për drejtësi dhe meritokraci do të jemi deri në mjetin e fundit demokratik”, tha Gjinovci, ndërsa theksoi faktin se kësaj radhe kanë edhe përkrahjen e MAShT dhe institucionet tjera.  

Last modified: 23 Gusht, 2022