MASHT

Ministri Buja: “Sami Frashëri” gjimnaz elitë

16 Dhjetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, mori pjesë sot në Akademinë solemne kushtuar 70 vjetorit të punës së Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Ministri Buja, duke uruar përvjetorin jubilar të gjimnazit “Sami Frashëri “, tha se “jam i nderuar që marr pjesë në këtë përvjetor, ngase ky gjimnaz që dikur ishte edhe Universitet, i dha Kosovës gjenerata e personalitete kulmore, shkencëtar, pedagog, politikan dhe gjithçka që ishte e mirë për Kosovën”.

“Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ ishte dhe mbeti elitar”, tha ministri Buja, ndërkaq shtoi se “për gjimnazin kjo është shumë domethënëse, por ne të tjerët do të donim që të kemi edhe më shumë gjimnaze e shkolla të mesme të tilla në Kosovë.

Duke folur për vlerat edukativo arsimore të këtij institucioni, ministri Buja përmendi faktin se aktualisht këtu mësojnë 2800 nxënës dhe shtoi se “jam i sigurt që vetëm sivjet kanë kërkuar po aq nxënës për t’u regjistruar. Kjo flet shumë për punën”.

Ministria e Arsimit me këtë rast u ka ndarë mirënjohje 20 mësuesve të parë të këtij Gjimnazi që kanë dhënë një kontribut të veçantë për arsimin në Kosovë.

Të pranishmit i përshëndetën edhe veprimtari dhe simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa etj., kurse për historikun dhe zhvillimet aktuale në këtë shkollë të mesme foli drejtori Osman Beka.

Me rastin e këtij përvjetori u promovua edhe monografia “Gjimnazi Sami Frashëri 1941-44” e autorit Hamdi Thaçi.

Ndryshe, Gjimnazi “Sami Frashëri” është themeluar në vitin 1941 dhe është shkolla e parë e mesme në gjuhën shqipe në Kosovë. Këtu filluan punën mësimdhënësit e parë nga Shqipëria, të cilët me vendimin e ministri të atëhershëm të arsimit të Shqipërisë, Ernest Koliqi, erdhën në Kosovë për të ndihmuar arsimin shqip. Në këtë institucion arsimor aktualisht vijojnë mësimin 2800 nxënës.

Last modified: 29 Gusht, 2022