Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka pritur në takime të ndara Bordin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Takimet me drejtuesit e këtyre dy universiteteve ishin në vazhdën e takimeve që ministri Buja është duke zhvilluar, me rastin e përgatitjeve për fillimin e vitit të ri akademik.
Ministri Buja, me këtë rast, shprehu interesimin e tij lidhur me procesin e përgatitjeve për fillimvitin e ri dhe ecurinë e konkursit për plotësimin e stafit akademik, ndërkaq falënderoi drejtuesit e të dy universiteteve për punën që kanë bërë dhe po e bëjnë në drejtim të ngritjes se këtyre universiteteve të reja, si në zgjerimin e hapësirave për studentë dhe mësimdhënës, po ashtu edhe në cilësi.
U.d. rektori i universitetit “Kadri Zeka”, z. Arben Dermaku tha se, janë bërë të gjitha përgatitjet për pranimin e studentëve të rinj në afaftin e dytë, ndërsa foli edhe për fazën e pranimit të stafit të rregullt akademik.
Ndërsa, edhe u.d i rektorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, z. Alush Musaj e njoftoi ministrin për gjendjen në këtë universitet, i cili për këtë vit ka të akredituara 23 programe në 3 njësi akademike. Ai theksoi se janë të gatshëm edhe për zgjedhjet stafit akademik dhe menaxhues si dhe ato studentore.
Ministri Buja theksoi se synimi i përbashkët është cilësia, ndërsa tha se MAShT është e gatshme çdoherë për të kaluar së bashku sfidat në këto institucione të arsimit të lartë.
Last modified: 31 Gusht, 2022