MASHT

Ministri Buja priti në takim rektorin e Universitetit Teknik në Stamboll

2 Prill, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, ka pritur sot në takim rektorin e Universitetit Teknik (ITU) në Stamboll, z. Muhamet Sahin, i cili shoqërohej nga ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, më të cilët ka diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës dhe Turqisë në sektorin e arsimit, veçanërisht në fushën e teknologjisë.

Ministri Buja pasi ka falënderuar rektorin Sahin për këtë vizitë bashkëpunimi, vlerësoi lartë kontributin e Turqisë në avancimin e proceseve në arsim. Ministri Buja theksoi se raportet Turqi – Kosovë janë më tepër miqësore, duke pasur parasysh faktin se shteti turk ka pranuar një numër të madh të studentëve kosovarë në universitete të ndryshme dhe po vazhdon ta bëjë këtë.

Ndërsa, rektori Muhamet Sahin foli për rëndësinë që ky universitet po u kushton marrëdhënieve ndërkombëtare, në vazhdën e të cilave ishte edhe vizita me ministrin e Arsimit në Kosovë.

Rektori Sahin, po ashtu, ftoi ministrin Buja për një vizitë në këtë institucion të Arsimit të Lartë në Turqi, me qëllim krijimin e një marrëveshje bashkëpunimi në programet master dhe doktoraturë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.