Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cameron Cliff, me të cilin ka biseduar për çështje të rëndësishme sa i përket zhvillimit të arsimit në Kosovë, me theks të veçantë arsimimin e të rinjve nga Kosova jashtë vendit, përvojat e mira që ata mund të marrin në vende të ndryshme dhe kthimin në vendilindje pas diplomimit.
Ministri i Arsimit ka vlerësuar lartë vullnetin e të rinjve për t’u kthyer në vendin e tyre, pavarësisht vendeve joshëse në të cilat ata mund të kenë jetuar për një kohë të caktuar. “Kjo është pasuri e jona, sepse ata njerëz që po shkollohen atje po kthehen në Kosovë”, ka thënë ministri Buja.
Më tej, ministri Buja ka shprehur kënaqësinë e tij për të qenë pjesëmarrës në konferencën e cila do të mbahet në Britani të Madhe, ndërkaq shtoi se kjo do të jetë një përvojë e re sa i përket vënies së kontakteve bashkëpunuese me ministrat e arsimit.
Ambsadori Cliff e ka ftuar ministrin Buja për të marrë pjesë në Konferencën dyditore, e cila do të mbahet Britani të Madhe, në muajin janar, me ministrat e arsimit të vendeve të ndryshme.
Ndryshe, ambasadori Cliff ripërsëriti interesimin e shtetit të tij për të ndihmuar Kosovën në fushën e arsimit.
Last modified: 29 Gusht, 2022