Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja ka pritur sot në takim znj. Gayane Harutyunyan, kryesuese e Sekretariatit për Bolonjë, e cila po qëndron në vendin tonë me ftesë të MAShT.
Ministri Buja ka biseduar me znj. Harutyunyan për arsimin e lartë në Kosovë dhe synimin e vendit tonë për aderim në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, respektivisht në Bolonjë.
Ministri Buja e informoi mysafiren rreth organizimit të arsimit të lartë publik e privat në Kosovë dhe në këtë drejtim foli për shumë të arritura si: kompletimi i infrastrukturës ligjore për këtë nivel të arsimit, funksionimi në bazë të standardeve të ENKA-s i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, funksionalizimi i qendrës NARIC, Korniza Kombëtare e Kualifikimeve.
Ndërsa, ministri Buja përmendi edhe faktin se MAShT ka themeluar grupin drejtues për përgatitjen e aplikimit në Bolonjë, për të cilin tha se ka bërë një punë të mirë në këtë drejtim dhe Kosova do të jetë e gatshme që në nëntor të aplikojë për anëtarësim në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Ndërsa, znj. Harutyunyan e njoftoi ministrin Buja se gjatë kësaj dite, ka vizituar edhe disa universitete publike dhe private, ndërsa vizita në institucionet arsimore të arsimit të lartë do të ketë edhe gjatë ditës së nesërme. “Sigurimi i cilësisë në arsimin e vendit është tani present dhe kjo është shumë e rëndësishme. Universitetet janë shumë të rëndësishme në këtë proces, sepse Bolonja është një platformë ndërqeveritare, por që pa universitetet nuk ka kuptim”, tha kryesuesja e Sekretariatit për Bolonjë, ndërsa theksoi se do ta përkrahë Kosovën në këtë proces dhe do të ofrojë ndihmën e saj për përgatitjet për anëtarsimin e Kosovës në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.
Last modified: 1 Shtator, 2022