MASHT

Ministri Buja prezantoi të arriturat e Ministrisë së Arsimit për vitin 2011

27 Dhjetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, në konferencën përmbyllëse të aktiviteteve të MAShT-it për vitin 2011, ka vlerësuar lartë të arriturat e Ministrisë në infrastrukturën ligjore, infrastrukturë dhe projekte të tjera zhvillimore.

Ministri Buja fillimisht ka falënderuar mediat për angazhimin e tyre dhe prezantimin korrekt të aktiviteteve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve vartëse të saj.

Ministri i Arsimit ka vlerësuar lartë realizimin në tërësi të objektivave të ministrisë, të cilat kanë qenë të parapara në bazë të Planit Strategjik të Kosovës 2011/ 2016, ndër të cilat ka veçuar fillimin e punës së universitetit në themelim “Haxhi Zeka” në Pejë dhe formimin e Komisionit për Abetarën e Përbashkët.

“Kemi filluar sivjet me Universitetin Publik të Pejës në themelim “Haxhi Zeka”, pastaj kemi realizuar edhe një projekt të cilin e kemi bërë publik bashkë me minsitrin e Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë, abetarën e përbashkët që jemi shumë të sigurt që do ta realizojmë në fillim të vitit shkollorë të vjen.

Duke folur për arritjet e MAShT-it në infrastrukturën ligjore, ministri ka vlerësuar lartë realizmin e dokumenteve strategjike- zhvillimore si: Strategjia e Kosovës 2011/2016, Ligji për Arsimin Parauniversitarë, Ligji për Arsimin e Lartë, Kurrikula e Re e Kosovës dhe Korniza Kombëtare e Kualifikimeve.

Ministri Buja ka folur edhe për arritjet e ministrisë në insfrastrukturën shkollore, me ç’ rast ka përmendur përurimin e objekteve në katër shkolla fillore, një të mesme dhe një shkollë speciale, ndërkaq ka shtuar 32 objekte të tjera janë në realizim.

“Vazhdojmë të punojmë në 32 objekte edhe tani, kemi realizuar sivjet gjashtë sosh, katër shkolla fillore, një të mesme dhe një shkollë speciale dhe kemi realizuar po kështu edhe objektivat tjera dhe në një arritje shumë serioze dhe përmbajtësore e cila është realizuar këtë vit është realizmi buxhetor që është mbi nëntëdhjetë e tetë për qind” është shprehur ministri.

Last modified: 29 Gusht, 2022