Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) , Ramë Buja morri vendim që ti ndajë shpërblimin ” Shkencëtarë i vitit 2011″, Profesor Zef Mirdita me rastin e 75 vjetorit të lindjes. Ky çmim ndahet , në mbështetje të nenit 145 , pika 2 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duke marrë parasysh nenet 4,21,22, të ligjit 03/L-189 për administratën shtetërore të Republikës së Kosovës , nenin 8 paragrafi 1.4 si dhe shtojcën nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive (22.03.2011).
Vendimi për ndarjen e shpërblimit Profesorit të nderuar, Zef Mirdita është bazuar edhe në Programin Kombëtarë të Shkencës të Republikës së Kosovës edhe rekomandimin e Departamentit të Shkencës dhe Teknologjisë (07 12.2011)
Profesor Zef Mirdita ka një opus të gjatë të krijimtarisë shkencore
Profesor Zef Mirdita qw nga viti 1965 e sidomos pas mbrojtës së suksesshme të doktoraturës në vitin 1972, në temën “Dardanët dhe Dardania në antikë” ishte shumë i përkushtuar për studimin dhe ndriçimin e periudhës së antikitetit. Ai për shumë vite ligjëroi në Katedrën e Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës si profesor i rregullt.
Në vitin 1978 ai u zgjodh anëtar me korrespodencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Qw nga viti 1993 jeton në Kroaci dhe punon në Institutin kroat të historisë si bashkëpunëtor i lartë shkencor. Ai ka udhëhequr projektin “Vllehët -banorë të vjetër të Ballkanit nga prania historike deri më sot”. Nga viti 1980-1990 ishte anëtar i Komitetit nacional të Jugosllavisë për Ballkanologji. Ndërsa nga viti1999 nënkryetar i Shoqatës kroato-shqiptare.
Në vitin akademik 1997/1998 me thirrjen e profesorit të rregullt në Fakultetin Filozofik J.J.Strossmayer në Osijek ligjëron historinë e mesjetës. Ai ka marrë pjesë në shumë kongrese shkencore vendore e ndërkombëtare. Si profesor ka mbajtur ligjërata në shumë universitete prestigjioze evropiane, në mesin e tyre edhe në Vienë, Mynih, Romë, Sofje, Tiranë e Zagreb. Mirdita ka punuar nëpër redaksi të revistave shkencore në Prishtinë e Zagreb (Mësimi i Historisë), ishte anëtar i redaksisë së redaksisë nga Kosova për “Enciklopedinë Jugoslavisë” dhe bashkëpunëtor i përhershëm i “Enciklopedisë Kroate”
Në vitin 1973 mori pjesë në gjurmime arkeologjike në Shqipëri, kurse si bursist i qeverisë italiane në vitin 1974 ishte në specializim në Katedrën e historisë së mesjetës në Universitetin e Romës “La Sapienza”. Kurse nga viti 1976-1977 dhe nga viti 1991-1992 si bursist i Alexander von Humboldt-Stiftung- ishte në specializim të historisë së mesjetës dhe arkeologjisë – paleobalkanistike në – Heidelberg të Mynihut.
Përveç shtatë titujve të librave shkencor të botuara në gjuhën shqipe, gjermane, kroate ka botuar dhe mbi 100 studime, artikuj, punime shkencore, recensione, polemika dhe shkrime në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane, italiane në revista vendore e ndërkombëtare. Në vitin 2005 ka fituar çmimin e Akademisë Kroate të Shkencës dhe Arteve për librin “Vllahet në historiografi”.
Last modified: 29 Gusht, 2022