Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë, ka vizituar “SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës” në Prishtinë, me rastin e festave të fundvitit 2011.
Ministri Buja , me këtë rast, fëmijëve të kësaj qendre ua dhuroi nga një dhuratë simbolike e duke shprehur kështu gjestin human dhe vullnetin e mirë të institucionit më të lartë arsimor të vendit për kujdesin që duhet të kemi ndaj kësaj shtrese të shoqërisë sonë.
“Nuk bëra ndonjë gjë të madhe. Sollëm ca dhurata për këta fëmijë të braktisur me rastin e Vitit të Ri. Jam i kënaqur sa i përket përkujdesjes që po shoh se u është bërë këtyre fëmijëve nga ana e stafit të Qendrës. Kjo që bëmë sot , është simbolika që tregon se jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe më tej këtë qendër , brenda mundësive që kemi”, tha ministri.
Më tej, ministri Buja tha se ka kërkuar nga stafi i Qendrës të jenë më insistues dhe të pahezitueshëm në kërkesat e tyre për mbështetje nga ana e institucioneve të vendit, me qëllim që të përmbushin me sukses misionin që kanë.
Në fund, ministri iu ka uruar fëmijëve shëndet të mirë dhe gëzime në festat e fundvitit dhe në jetën e mëtutjeshme.
Nizahat Salihu, drejtoreshë nacionale e “SOS Fshatit të Fëmijëve në Kosovë” , ka falënderuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë , e posaçërisht ministrin Buja për përkrahjen simbolike me rastin e festave të fundvitit duke shprehur kështu dëshirën që përkrahja të mos mungojë edhe në të ardhmen.
“Shpresoj se kjo përkrahje, ky gjest i mirë do të vazhdojë edhe herave tjera. Meqenëse ne jemi institucion, i cili ka nevojë për përkrahjen e të gjithëve. Shpresojmë se kjo përkrahje nuk do të mungojë gjatë vitit 2012 edhe nga të tjerët”, tha drejtoresha Salihu.
Ndryshe, SOS Fshatrat e Fëmijëve me programet që ka, përkujdeset për fëmijët deri në moshën kur ata do të aftësohen dhe të bëhen të pavarur në jetë.
Last modified: 29 Gusht, 2022