Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka marrë pjesë sot në mbledhjen e Komisonit Parlamentarë për Arsim, ku me kërkesë të anëtarëve të këtij komisioni ka raportuar për situatën në arsimin e lartë, me theks të veçantë në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës.
Ministri Buja, me këtë rast, tha se ka takuar disa herë Këshillin Drejtues, nga i cili ka kërkuar që në një afat sa më të shkurtër të dalë me plan konkret për tejkalimin e gjendjes së krijuar në Universitetin e Prishtinës. Ministri Buja tha se gjërat kanë lëvizuar përpara, por jo në nivel të kënaqëshëm.
Ministri Buja ka bërë të ditur se tashmë është themeluar Komisioni Profesional Vlerësues në kuadër të Senatit, i cili do të kryejë punën me përgjegjësi të plotë dhe se brenda një periudhe prej dyzetepesë ditëve prej kohës së aktivizimit, ky mekanizëm do të dalë me raporte, në bazë të të cilave do të veprohet më tutje.
Më tej, ministri ka thënë se edhe Këshilli i Etikës ka shtuar angazhimin, në funksion të realizmin të asaj të cilën po e synojmë dhe se pas vlerësimeve që do të dalin, nuk do të ketë amnistim për asnjë shpërdorues të detyrës zyrtare.
Ministri i Arsimit, po ashtu, ka thënë se është pro debatit parlamentar për situatën në UP dhe verifikimit të titujve shkencorë.
Last modified: 1 Shtator, 2022