Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë sot në përurimin e kompletit të veprave të akademik, Rexhep Qosjes, që përmban njëzet e nëntë vëllime.
Ministri Buja para të pranishmëve theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ministri me këtë rast potencoi se njëzet e nëntë vëllimet e Qosjes, jo vetëm që e dokumentojnë veprimtarinë e një krijuesi, por edhe i japin ndjesi të mirë lexuesit dhe e bëjnë krenar institucionin që ka ndihmuar botimin e tyre.
“Unë nuk isha ministër në atë kohë kur këto libra u ndihmuan për t’u botuar në aspektin financiar, unë nuk e di kush ndihet keq prej shqiptarëve që kjo punë u bë, kjo vepër monumentale u ngrit në këto përmasa. Njeriu përmendoren ia ngrit vetes sa është gjallë me punën dhe angazhimin e tij”, u shpreh ministri Buja.
Ministri i Arsimit, në fjalën e tij, bëri edhe një krahasim sa i përket veprimtarisë individuale të akademik Qosjes.
Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vitin e kaluar ka financuar botimin e kompletit të veprave të akademik Rexhep Qosjes.
Last modified: 29 Gusht, 2022