Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka pritur sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, me të cilin ka biseduar rreth shumë çështjeve në arsim, me theks të veçantë në projektet e përbashkëta.
Pas takimit, ministri Ramë Buja i ka informuar mediat se fokusi i bisedës me ambasadorin Brieger ishte çështja e arsimit dhe ajo që Austria ka bërë në vazhdimësi për arsimin kosovar.
Ministri Buja theksoi se projektet që janë duke u implementuar do të vazhdojnë edhe më tutje dhe tha se bashkëpunimi do të fuqizohen edhe më shumë. “Zyra jonë gjithmonë është e gatshme për bashkëpunim të vazhdueshëm që të arrijmë synimin tonë, cilësinë në arsim”, u shpreh ai.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, tha se me ministrin Buja ka biseduar për çështje shumë të rëndësishme. “Austria mendon se arsimimi i rinisë dhe ndihmesa që i përkushtohet atyre sa i përket arsimimit është një çështje fundamentale për zhvillim të mëtejmë. Për këtë arsye jemi shumë të angazhuar në këtë sektor”.
Sa i përket projekteve që janë duke u implementuar, ambasadori austriak përmendi vetëm njërin, pra projektin Firmat Ushtrimore, i cili është duke u implementuar në 12 shkolla në Kosovë. Duke e theksuar rëndësinë e këtij projekti, ai përmendi faktin se janë trajnuar 100 mësimdhënës dhe një numër i madh i nxënësve.
Last modified: 26 Gusht, 2022