MASHT

Ministri Buja: Festa e Abetares këtë vit e veçantë

17 Prill, 2012

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shënoi sot “Festën e Abetares”,në qytetin historik të Prizrenit.

Ministri i Arsimit, z.Ramë Buja, ka uruar nxënësit pjesëmarrës më dëshirën që të arrijnë suksese të dëshiruara në mësime dhe jetë. “Të gjithë mësuesit kujtohen, por mësuesi i parë nuk harrohet kurrë. Jam shumë i bindur që as ju nuk do t’i harroni dhe uroj që t’i mbani mend për të mirë”, ka thënë Ministri.

Sipas ministrit Buja, kjo festë sivjet është shumë e veçantë, sepse përkon më 125 vjetorin e Shkollës Shqipe, 104 vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. “Për këto pak vite të shkollës sonë, rezultatet tona janë kolosale dhe të prekshme”, tha ministri Buja.

Të pranishmit i përshëndeti edhe znj. Naziktere Sylejmani, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, ndërsa të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë së Diasporës, Ibrahim Makolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja , nxënës, prindër dhe mësimdhënës.
Për shkollat pjesëmarrëse, ministri Buja dhe këshilltarja në Ministrinë e Arsimit të Maqedonisë, znj.Naziktere Sylejmani, kanë ndarë mirënjohje.

Nxënësit e shkollave fillore “Lidhja e Prizrenit” Prizren, ” 7 Marsi” komuna e Qairit – Shkup, “Thimi Mitko” nga Gjilani, “Yll Morina” Gjakovë , “Ismet Rraci” Klinë, ” Daut Bogujevci” Fushë – Kosovë, “Migjeni” Mitrovicë dhe ” Emin Duraku” të Kaçanikut, shfaqen programe kulturo-artistike.

Ndryshe, kjo festë tashmë është tradicionale dhe në Kosovë kremtohet për të katërtën herë radhazi, ndërkohë që koinçidon edhe me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqpërisë. Nga ky vit, kjo festë do të ketë karakter gjithëkombëtar dhe do të shënohet në të gjitha viset shqiptare.

Vitin e ardhshëm “Festa e Abetares” do të organizohet në një nga qytetet e Shqipërisë.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.